Informatat e nevojshme mbi profilin e Devolli Corporation, Të gjitha informatat rreth korporatës, misionit, historikut dhe vlerat e kompanis mund ti gjeni këtu...

Devolli Corporation

Na ndiqni në:

Blog

Malouf Home viziton Devolli Corporation: Krenarë të themi se dyshekët tanë vijnë nga Kosova

Drejtuesit e një prej kompanive më të mëdha të dyshekëve në SHBA, erdhën në vizitë te Devolli Corporation.

Sam e Kacie Malouf, pronarë të “Malouf Home”, kanë dhënë intervistë për Klan Kosovën, ku ata flasin për optimizmin e tyre për rritje të bashkëpunimit me Comodita Home nga Devolli Corporation dhe suksese të reja të përbashkëta.

Intervista e plotë:

Kelmendi: Zotëri Sam, zonja Kacie, kënaqësi të jem me ju dhe mirë se vini në Kosovë! Pra ju filluat si biznes familjar dhe të dy jeni të përfshirë në Malouf. A mund ta përshkruani shkurtimisht si u bëtë bashkë dhe e filluat punën në këtë biznes?

Sam: Po, epo le të tregojë ajo, ishte ideja e saj.

Kacie: Po, Sam dhe unë u martuam para 20 vjetësh dhe ishim duke e bërë gati shtëpinë tonë të parë dhe sapo e kishim blerë një dyshek dhe ishim duke kërkuar çarçafë për dyshekun tonë, dolëm për pazar dhe të gjithë na thoshin mos blini shtrat të madh, ne kishim një shtrat King Size dhe të gjithë thoshin se çarçafët do të jenë shumë shtrenjtë dhe kur dolëm për të blerë çarçafë, ata ishin shumë të shtrenjtë dhe nga aty na erdhi ideja se mund të gjejmë çarçafë me kualitet të lartë dhe me çmime më të volitshme dhe t’ua shesim njerëzve të tjerë dhe kështu filloi. Nga aty, gjatë 20 vjetëve të fundit, është rritur në një kompani shumë më të madhe. Tash nuk kemi vetëm çarçafë, por edhe jastëkë, mbrojtëse për dyshekë, korniza për shtretër, pastaj kemi kaluar në dyshekë dhe kështu jemi njohur me zotëri Devollin dhe kemi filluar të punojmë me të.

Kelmendi: Pra është histori shumë personale, një çift bëhet bashkë, u duhet të flenë bashkë, në një dhomë dhe kështu fillojnë të mendojnë për dyshekë dhe pastaj fillojnë të punojnë me dyshekë.

Sam: Epo e the mirë, fiks kështu ka ndodhur.

Kelmendi: Si u takuat me Korporatën Devolli? Kur ishte hera e parë që ratë në kontakt dhe vendosët se mund të bashkëpunoni?

Sam: Pra ne prodhojmë produkte në tërë botën, në shumë shtete dhe veçanërisht gjatë pesë vjetëve të fundit gjërat kanë qenë të ndërprera globalisht në prodhim. Ne gjatë tërë kohës kërkojmë vendin më të mirë për të prodhuar produktin më të mirë dhe e kemi një ekip që fokusohet në gjetjen e hapësirave dhe shteteve që janë shumë të mirë në atë që e bëjnë. Ne nuk e kishim menduar kurrë të prodhojmë produkte në Kosovë, nuk dinim asgjë vërtet, dhe ekipi ynë gjeti Ventious në Korporatën Devolli këtu në Kosovë dhe filluam para tre vjetësh të punojmë bashkë dhe është rritur shumë shpejtë, sepse këta janë shumë të mirë në punën që bëjnë dhe ofruan produkte shumë konkurruese dhe produkte me kualitet shumë të lartë me çmim të mirë, që vërtet përshtatet me nevojat tona për tregun amerikan.

Kacie: Ata bënë punë shumë të mirë me porositë që na duheshin gjatë Covid-it, ishte një kohë shumë e ngarkuar për ne në SHBA dhe ata kishin mundësi t’i përmbushnin kërkesat dhe u rritën shumë dhe për shkak të kësaj edhe ne u rritëm.

Kelmendi: Ishte e mahnitshme ta mendosh në kontekst të Kosovës se si një shtet i vogël në Ballkan mund të gjejë treg në SHBA dhe të bëhet eksportuesi më i madh në SHBA, pra si të rritet besimi në produkte që vijnë nga shtete të vogla?

Sam: Është interesante ajo që po thoni për prodhimin e një dysheku, sepse në shumë raste blerja e një dysheku është një blerje e rëndësishme për një person, veçanërisht se si ne i prodhojmë dyshekët, ne i kompresojmë ata dhe i vendosim në paketime më të vogla për t’i transportuar dhe ka rreziqe që lidhen me kualitetin dhe sfida që mund t’i kesh dhe shpesh na duhet kohë shumë më e gjatë për ta rritur sasinë siç bëmë këtu, por siç e përmendi Kacie, për shkak të Covid-it dhe ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit, na duhej ta bënim shumë shpejt dhe Ventius ishte shumë efektiv në ofrimin e cilësisë dhe kontrollet e cilësisë në atë nivel. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme me cilësinë dhe, siç e përmendi Kacie, shpejtësia me të cilën prodhojnë ata është shokuese, sa shpejt kanë mundësi t’i bëjnë.

Kelmendi: Pra cilësia është e standardeve amerikane?

Sam dhe Kacie: Po.

Kacie: Dhe mendoj se ka një perceptim në Amerikë se çfarëdo që vjen nga Evropa ka një kualitet më të lartë krahasuar me vendet tjera ku prodhojmë, pra kur themi se dyshekët janë të prodhuar në Kosovë, njerëzit mendojnë se kjo është diçka ndryshe, emocionuese dhe më mirë se në vendet tjera.

Kelmendi: Dhe a e shihni këtë bashkëpunim duke u rritur?

Sam: Po, po, ne kemi 20 vjet që punojmë, janë bërë 12 apo 13 vjet që prodhojmë dyshekë dhe edhe pse jemi rritur dhe kemi një pjesë të madhe të tregut, ka ende shumë për të bërë dhe mendoj se të pasurit një partner që është në hap me ne është një ëndërr, është skenari më i mirë, atë që tha Kacie, prodhimi i produkteve në Kosovë është pozitiv, jemi krenarë të themi se kjo vjen nga Kosova. Ka disa shtete ku prodhojmë dhe mundohemi ta shmangim përmendjen e vendit të origjinës, por në rastin e Kosovës është e kundërta.

Kelmendi: Dhe është hera e parë që keni ardhur në Kosovë, bashkë me pesë fëmijët tuaj, familje e madhe, urime! Çfarë u është dukur interesante në Kosovë deri tani nga gjërat që i keni vizituar, vendet?

Sam: Epo fillimisht njerëzit, mendoj se njerëzit janë shumë të ngrohtë, mikpritës dhe të lumtur. Kemi pasur mundësi të shohim shumë punë duke u bërë, pra njerëz shumë të përfshirë dhe punëtorë, kemi parë shumë kujdes nga njerëzit.

Kacie: Mendoj se ka qenë interesante të mësojmë për historinë e Kosovës. Gjatë luftës kemi qenë të rinj dhe nuk e kemi kuptuar se çfarë ka ndodhur në Kosovë, kështu që ka qenë interesante të vijmë këtu dhe të mësojmë së çfarë ka ndodhur dhe të shohim sa shumë ndryshime kanë ndodhur që nga lufta dhe të shohim njerëzit që punojnë kaq shumë dhe sa shumë ndryshime kanë bërë. Ka qenë interesante të mësojmë për këtë dhe kur të shkojmë në shtëpi, do të mësojmë edhe më shumë.

Kelmendi: Dhe jeni takuar me dy kryetarë komunash, kryetarin e Gjakovës dhe atë të Pejës dhe urime që jeni bërë qytetarë nderi të Gjakovës!

Sam: Faleminderit! Po, Kacie po e përmendte, është impresionuese se si njerëzit janë adaptuar kaq shpejt dhe janë rritur dhe kanë ndërtuar biznese dhe jetë dhe familje në kohëra kaq të vështira, si kryetarët e komunave, ishte impresionuese për neve të shohim udhëheqjen e tyre dhe kujdesin për njerëzit. Kemi shëtitur me kryetarin e Gjakovës dhe qyteti e dinte kush ishte ai, fliste dhe i përshëndeste të gjithë, kjo ishte impresionuese.

Sam: Në Pejë kemi pasur mundësi të shohim ambientin e bukur, ishte si fotografi, kur jeton diku nganjëherë e harron, por ambienti ishte si fotografi në ëndërr.

Kelmendi: Njerëzit këtu në Pejë ju pyesnin cila ju ka pëlqyer më shumë, Gjakova apo Peja.

Sam: Të dyja janë Kosovë, ne e duam Kosovën, kështu që është emocionuese t’i shohësh të dyja qytetet nga ku kanë ardhur dhe ku po shkojnë. Mendoj se një gjë tjetër që e kemi përjetuar ishte ushqimi i mrekullueshëm këtu, që ishte shumë i mirë në të dyja qytetet.

Kelmendi: Faleminderit dhe do të donim t’ju mirëpresim edhe në të ardhmen, shijojeni qëndrimin tuaj këtu.

Kacie dhe Sam: Do të vijmë përsëri, e duam, faleminderit!